BallinaLajmeLajmet e FunditAnalizat e Agon Zejnullahut jashtë Kosovës? Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk e...

Analizat e Agon Zejnullahut jashtë Kosovës? Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk e sheh të arsyeshme të konfirmojë se a i ka dërguara jo

Një ngjarje e rëndë që ndodhi në Lipjan, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën, ka tronditur tërë vendin. Për të dyshuarit për vdekjen e të riut, që janë pesë policë, ditën e djeshme Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit 30-ditore për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, shkruan Gazeta Express.

Rreth rastit tragjik të vdekjes së 27-vjeçarit gjatë arrestimit nga policia, bashkë me hetimet u ngritën edhe shumë pyetje se si ndodhi e tërë ngjarja, ku si një shkak u përmend të ketë qenë edhe ngufatja.

Pyetjet e shumta u prit që do të marrin përgjigje nga institucioni nga ku edhe do të qartësohej arsyeja e vdekjes së të riut, e që është Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Nga këta të fundit, dy ditë më parë, ka folur Flamur Dylhasi, mjek në IML, ku edhe është kryer autopsia e viktimës. I njëjti për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes, pasi ai komunikon vetëm me prokurorinë.

Në po të njëjtën ditë, IML ka dalë me një postim në Facebook, nga ku është thënë se është kryer autopsia për Agon Zjenullahun, dhe se, është hedhur poshtë raportimi se ka dalë raporti preliminar për rastin në fjalë

“Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu. Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës. Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë. Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë”, është thënë mes tjerash nga IML.

Megjithatë, dje jo zyrtarisht, u raportua se analizat toksikologjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, s’do të bëhen në Kosovë, porse të njëjtat do të dërgohen jashtë vendit, në Maqedoninë e Veriut. Kjo, sipas raportimeve, është për shkakun se Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore është jashtë funksionit.

Lidhur me këto raportime të fundit, Gazeta Express, dje ka dërguar pyetje si në IML ashtu edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për të marrë sqarime rreth situatës. Por, gjatë kësaj kohe nuk është përgjigjur asnjëra për të konfirmuar ose mohuar raportimet në fjalë.

Përveç raportimeve gjatë ditës, për mostrat e Agon Zejnullahut, është deklaruar edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

I njëjti mbrëmë në emisionin Pressing në T7, ka thënë se të njëjtat janë dërguar në Maqedoninë e Veriut.

“Mostrat e Agonit kanë shkuar në Maqedoninë e Veriut, që do të thotë ne si shtet, kemi dështuar që të ndërtojmë mekanizma që ua lehtësojnë punën, jo vetëm Prokurorisë, Policisë por edhe edhe agjencive të tjera”, përfundoi Miftaraj.

Ndërkaq rreth rastit në fjalë, përveç policëve, është bërë e ditur nga Oda e Mjekëve të Kosovës, se kjo e fundit ka hapur hetime lidhur me dyshimet për mosdhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipit tl Urgjencës së Komunës së Lipjanit.

Ka qenë kryetari i Odës, Pleurat Sejdiu, ai që ka njoftuar se hetimet do të bëhen në dy pista, ku njëra lidhet me deklaratën e mjekës që ‘‘konsiderohet në kundërshtim me etikën profesionale’’, dhe se tjetra me mosdhënien e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes. /GazetaExpress

- Advertisement -