Analiza e mbrëmshme: De Biasi i kërkon Xhakës shpjegim për shishen e hedhur, ja çfarë i tha Taulanti
Burime pranë Kombëtares tregojnë se italiani ka menduar që futbollistët të shikojnë përmes videos ndeshjen që vetë kishin luajtur të premten në drekë. Kësisoj, edhe pse ora kishte kaluar 23:00, lojtarët janë ulur përpara ekranit dhe kanë parë anët pozitive e negative të takimit të humbur 0-1. Nga sa mësohet, De Biazi ka ndalur videon disa herë duke u fokusuar te gabimet që skuadra ka bërë.
Një situatë e sikletshme mësohet se ka qenë momenti kur në ekran është shfaqur rasti i Taulant Xhakës, i cili doli i nervozuar nga fusha dhe përplasi në pankinë një shishe uji. Burime pranë skuadrës tregojnë se për këtë gjest lojtari i ka kërkuar falje trajnerit kuqezi, i cili në pesë vite drejtim të Kombëtares shquhet për vendosjen e disiplinës. Kur ora po shkonte 01:00, mbaroi edhe “zbori” i së premtes për kuqezinjtë që shkuan të pushonin në dhoma.

Lexo edheSpanjë-Çeki, formacionet zyrtare
Mirëpo, mëngjesi i së shtunës i gjeti sërish lojtarët përpara ekranit. Fillimisht programi i paradites parashikonte një masazh rigjenerues për futbollistët që u aktivizuan me minutazh të plotë ndaj Zvicrës. Më pas, në orën 12:30 ekipi është grumbulluar në një mbledhje me trajnerin De Biazi dhe presidentin Armand Duka.














