Gjatë ditës sotme ish-këshilltari i Kryetarit të Kuvendit dhe kandidati për deputet nga PDK, Blerim Latifi ,ka hedhur akuza të rënda në drejtim të bashkëpartiakëve të tij në zonën e Drenicës.
Latifi, në një status në rrjetin social Facebook shkruan se PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosja e as LDK-ja por e ka mundur vetë PDK-ja, duke thënë se disa persona për interesa të tyre kanë blerë vota në këtë regjion.
“PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta. I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në” shkruan Latifi.
Por njohësit e çështjeve politike në vend një reagim të tillë të Latifit e shohin si zhgënjim pasi ky i fundit nuk ka fituar mandatin e deputetit.
Analisti politik Ramush Tahiri në një prononcim për Gazeta Blic ka theksuar se kjo kjo dukuri pra e shit-blerjes së votës po duket e çuditshme edhe e pakonceptueshme, dhe nuk po mund të kapërdihet në analizë politike.
“Po te gjithë po deklarojnë kështu ata që nuk janë zgjedhë nga të gjitha partitë politike. Mund te jetë bindje mund te jete percepsion. Vështirë është me u dëshmu dhe me u vërtetu.. mu po me duket shume pakë me u shite vota 5-10 euro, e mandej nuk është leju fotografimi dhe nese dikush i ka marr pesë euro tash hec e dëshmoje se përnjëmend ka votu dhe për kënd ka votu. Tash me të shku mendja çka nëse qytetarët vjedhin ndërmjet brenda një partie për pesë euro atëherë për dy euro po shitkan e u blejkan ndërmjet partive kundërshtare.
Edhe njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari ndan të njëjtin mendim .
Jashari thekson se kjo është dëshpërim nga rezultati jo i mirë që Latifi ka marrë në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Rezultati zgjedhor ka zhgenjyer një numër ta kandidatëve të cilët kan pritur me shumë vota dhe sidomos, ata që për herë të parë kanë garuar për deputet e të cilë nuk i kanë përvojat e garës së brendëshme dhe lobimeve përjashtuese që bëhën prandaj, munden me lehtë dhe dëshprohen më thell.Reagimi i z. Latifi shpërfaq këtë të vërtet dhe zhgënjim që nuk do të jet i fundit. Nuk dua të paragjykoj nëse ka ndodhur vërtet ajo që ai thot rreth blerjes së votave por nuk do të quditësha edhe nëse ka ndodhur.Sido të jetë e vërteta rezultati për PDK-në,do të ishte ky që është dhe çfardo veprimi jo ligjor i kryer nga kandidatët për deputet do të duhej të denoncohej me kohë tek organet kompetente për tu parandaluar.PDK duhet të thelloj reformat dhe të vlerësoj punen she sukseset e kryetarëve të degëve për ti mbajtur përgjegjës, nëse don që të mbetet subjekt i rëndësishëm politik në Kosovë” thotë Jashari për Gazeta Blic.
Partia Demokratike e Kosovës doli e treta në zgjedhjet e 6 tetorit duke u renditur pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo parti del në opozitë pas 12 vitesh në pushtet./Gazeta Blic/