Deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit të Kushtetueses, deputetët e Kuvendit nuk kanë të drejt të bëjnë përpjekje për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës.
Njohës të politikës e të drejtësisë thonë se aktgjykimi mund t`i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, shprehen pesimistë për daljen nga ngërçi politik, ngase thonë se nuk ka konsensus nga partitë politike për formimin e qeverisë.
Mazllum Baraliu, njohës i kushtetutës tha se “Masa e përkohshme oficiale ende vazhdon deri sa të shpallet vendimi në fletoren zyrtare dhe atëherë hyn në fuqi bëhet i plotfuqishëm, më e rëndësishmja është se spektri politik duhet të përgatiten këto ditë”.
Njohës të politikës e drejtësisë presin që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë kandidatë të pranueshëm për ish-opozitën për kryeparlamentar.
Me këtë rast, ata thonë se pas aktgjykimit të kushtetueses, mund t’i hapet rrugë zhbllokimit të Kuvendit.
“Kanë afat 30 ditor për t’i provuar disa nga kandidatët partia e parë në të kundërtën të ulen dhe të merren vesh qoftë për kryetar të Kuvendit”, tha për RTK, Argjend Zejnaj, njohës i politikës.
Megjithatë, çfarë mund të pritet pas zhbllokimit të Kuvendit.
“Të gjejnë rrugë të merren vesh të mos përjashtojnë njëra tjetrën në këtë rast fitues i zgjedhjeve por edhe opozita qoftë me njëri tjetrin bashkërisht për të bërë një Qeveri me bazë të gjerë kombëtare të unitetit sepse ka shumë probleme”, thotë Baraliu.
Duke i parë qëndrimet e partive politike, analistët thonë se vështirë që mund të bëhet qeveria, kësisoj edhe nuk përjashtojnë mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë tre urdhra për ligjvënësit e rinj për ta zhbllokuar parlamentin. Kushtetuesja ka urdhëruar votim të hapur, ka urdhëruar deputetët që të jenë të pranishëm në seancë dhe të votojnë si dhe ka obliguar ata që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët. Ndërsa, sipas gjykatës subjekti fitues i zgjedhjeve mund ta propozojë të njëjtin kandidat për kryeparlamentar deri në tri herë.