Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe proceset aktuale politike.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor, me Presidenten që theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike—fushë në të cilën Kosova tashmë konsiderohet shembull pozitiv, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, u trajtua edhe çështja e marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj të komunave, përfshirë komunat në veri të vendit, proces që u realizua gjatë ditës së sotme.
Presidentja Osmani nënvizoi urgjencën e heqjes së masave të Bashkimit Europian, të cilat, sipas saj, janë të padrejta dhe po dëmtojnë interesat e qytetarëve të Kosovës.
Në takim u ritheksua gjithashtu përkushtimi për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Francës, ndërsa u diskutuan edhe tema të tjera të interesit të përbashkët./lajmi.net/