Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka vlerësuar koordinimin pozitiv midis KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it që FSK-ja të vendosë ekipe të kërkim-shpëtimit për ta gjetur trupin e pajetë të Rrahim Latifit i cili u mbyt pak ditë më parë në Ujman pas hedhjes nga ura.
Përmes një postimi në Facebook, kjo Ambasadë thotë se operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së.
“Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën”, thuhet tutje në postim.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it”, përfundon postimi.
Ndryshe, zhytësit dje kanë arritur ta gjejnë trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar i cili po kërkohej nga dita e diel.