Heqja e tarifës 10% ndaj produkteve amerikane nga Qeveria e Kosovës është përshëndetur si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kështu u tha në një diskutim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane të mërkurën në Prishtinë.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, vlerësoi vendimin si një “pikë kthese” në partneritetin mes dy vendeve, duke e cilësuar si një mundësi të re për rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, raporton lajmi.net
“Kjo është një arritje e madhe dhe një pikë kthese në partneritetin tonë. Sot po festojmë vendimin e Kosovës për të eliminuar tarifat doganore mbi produktet amerikane. Ky vendim pasqyron vizionin tonë të përbashkët për më shumë tregti, investime dhe mirëqenie mes dy kombeve tona,” tha Prattipati.
Ajo shtoi se lëvizje të tilla thellojnë kuadrin e tregtisë dhe investimeve, duke i bërë produktet amerikane më të qasshme për qytetarët e Kosovës dhe duke krijuar mundësi të reja për bizneset në të dy vendet.
“Ky nuk është thjesht një ndryshim politikash – është një deklaratë e përkushtimit gjithnjë e më të madh të Kosovës ndaj partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe konsumatorët,” u shpreh diplomatja amerikane.
Në panelin e diskutimit morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve kosovare. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se pret që ky vendim të shërbejë si hap drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë me SHBA-në.
Edhe drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, vlerësoi vendimin si hap pozitiv me ndikim në shumë fusha, ndërsa përmendi edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në bashkëpunimin ekonomik me BE-në.
Nga ana tjetër, nikoqiri i diskutimit, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se heqja e tarifave do të rrisë shkëmbimin tregtar dhe investimet amerikane në vend.
“Vendimi si i tillë hap rrugë edhe për shkëmbim më të madh tregtar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e kemi thënë edhe ne si Odë Amerikane, që vendimi do të çojë pashmangshëm edhe në rritjen e prodhimit dhe investimeve të huaja amerikane në Kosovë,” deklaroi Zeka.
Heqja e tarifës prej 10% ndaj produkteve amerikane është bërë zyrtarisht në muajin korrik, si pjesë e përpjekjeve për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-së./Lajmi.net/