Alienët ekzistojnë – por nuk kanë vizituar Tokën, pretendon një veteran i NASA-s.
Dr. Gentry Lee ka punuar në agjencinë hapësinore amerikane që nga viti 1968, kur u përfshi për herë të parë në misionin Viking për Marsin.
Ai ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli duke projektuar sondat që të zbresin në planetë të largët – por argumenton se Toka ende nuk është vizituar nga krijesa të tjera bimore apo mekanike.
“Nuk ekziston asgjë sot që të tregojë se ndonjë alien apo ndonjë makinë alien ka zbarkuar ndonjëherë në planetin Tokë,” tha ai në konferencën e Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS) në Phoenix.

“Nëse mendoni ndryshe, po mashtroheni.”
Sipas ekspertit, në çdo rast të supozuar të një UFO-je apo takimi me alienë, ka zakonisht një shpjegim më të thjeshtë për ato fenomene.
Por kur bëhet fjalë për planetët e largët, jeta “thjesht duhet të ekzistojë diku atje”.
“Ne do të gjejmë jetë, në një formë apo tjetrën, diku tjetër. Probabiliteti është jashtëzakonisht i madh,” shtoi ai.
Shkencëtarët besojnë se kandidatët më të mirë për jetë alien janë botë “të ngjashme me Tokën” që rrotullohen rreth yjeve të largët në pjesë të tjera të galaktikës.
Një prej tyre është planeti TRAPPIST-1e, me madhësi të ngjashme me Tokën, vetëm 40 vite drite larg, brenda zonës së banueshme të yllit të tij.
Një kandidat tjetër është K2-18b, që sipas disa studimeve mund të jetë plot jetë. Ky planet, 124 vite drite larg Tokës në konstelacionin e Luanit, është një botë e madhe e mbuluar tërësisht nga oqeane – çka shkencëtarët e quajnë “botë Hycean”.
Edhe brenda sistemit tonë diellor, hënat e Saturnit, Enceladus dhe Titan, mund të kenë kushtet e duhura për zhvillimin dhe mbijetesën e jetës.
Dr. Lee shtoi se shkencëtarët hapësinor duhet të jenë të përgatitur për forma jete shumë të ndryshme nga ato që njohim në Tokë.
“E gjithë jeta në planetin tonë – ti, unë, një elefant, myku, bakteret – përdor ADN për të riprodhuar veten,” tha ai.
“Biologët jashtëtokësorë do të vinin në Tokë dhe do të raportonin: ‘Planet i mërzitshëm. E gjithë jeta është e njëjtë. Të gjithë riprodhohen në të njëjtën mënyrë duke përdorur të njëjtën molekulë [ADN].’”
Lee aktualisht është krye-inxhinier në Drejtorinë e Eksplorimit të Sistemit Diellor në Laboratorin e Propulsionit të NASA-s. Ai ka mbikëqyrur projektimin e roverit Curiosity për Marsin, misionet Dawn dhe Juno, si dhe misionin Grail për Hënën.
Duke promovuar dokumentarin e ri Spaceman, Dr. Lee tha se teleskopët hapësinorë si Kepler kanë studiuar një pjesë të konsiderueshme të galaktikës tonë dhe kanë gjetur një numër të madh planetësh që rrotullohen rreth yjeve të tjerë.
“Nëse pjesa e universit që Kepler ka studiuar është përfaqësuese [e tërë Rrugës së Qumështit], atëherë në galaktikën tonë ka afërsisht një trilion planetë,” tha ai.
“Pra, duke kaluar probabilitetet e formimit të jetës, më në fund thua: thjesht duhet të ekzistojë diku atje.”
Së fundi, ai komentoi edhe për diskutimet e fundit politike rreth UFO-ve: NASA refuzoi të publikojë dokumente misterioze për alienët, duke shpjeguar se shumë fenomene të pazbardhura lidhen më shumë me programe të shtrenjta sesa me jetë jashtëtokësore. /GazetaExpress/