Ahmeti ka thënë se deklarata e Kurtit e ka lënduar thellë, duke e akuzuar atë se me qëndrimin e tij ka dalë në mbështetje të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, transmeton lajmi.net.
“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, është shprehur Ahmeti.
Për të shpjeguar reagimin e tij, kreu i BDI-së ka kujtuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke përmendur në veçanti Afrim Kalanicën dhe nënën e tij, të cilën thotë se e kishte parë pranë varrit të të birit në Sllupçan.
Ai ka vënë në pikëpyetje sakrificën e dëshmorëve në raport me deklaratën e Kurtit për statusin e gjuhës shqipe.
“Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është tek dëshmorët e Sllupçanit. Afrim Kalanica… asnjë nënë që janë vra këtu djem që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej, të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka akuzuar Kurtin se deklarata e tij është përdorur nga Mickoski për të mbështetur qëndrimin e tij politik rreth statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.



