Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përveç pranisë së tij në protestën e 7 gushtit në Prishtinë të organizuar nga OVL-UÇK, mbajti edhe një fjalim të fuqishëm para protestuesve, ku mbrojti fuqishëm vlerat e UÇK-së dhe qëllimin e saj çlirimtar.
Ahmeti theksoi se UÇK-ja ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe se lufta e saj nuk ishte kurrë e drejtuar kundër civilëve apo ndonjë etnie.
“Shqiptarët nga të gjitha anët, nga Struga, nga Gostivari, Shkupi, Kumanova, vërshonin rrugët me pjesëmarrjen në këtë protestë për drejtësi. Vendi ynë i bashkuar si një trup i vetëm, por neve na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti, prandaj sot si një tru jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale,” tha Ahmeti, aporton lajmi.net
Ai rikujtoi se që nga viti 1994, kur UÇK-ja filloi të komunikojë hapur qëllimet e saj, ajo i ishte përmbajtur standardeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës.
“UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim. Lufta e saj nuk është kundër asnjë populli, asnjë etnie në Kosovë. Nuk është luftë tradhtare e as terroriste,” deklaroi ai.
Ahmeti përfundoi duke theksuar se kontributi i UÇK-së ka pasur ndikim gjeostrategjik në rajon:
“UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan.”
Në protestën e organizuar në sheshin “Skënderbeu” morën pjesë mijëra qytetarë, përfshirë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora