Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar festën e Fitër Bajramit duke thënë se sot duhet zgjatur dora për të varfrit.
“Pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. Urime e me gëzime!”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tha se pikërisht kjo festë sot përkon me ditëlindjen e Mulla Idrizit, i cili ia kushtoi jetën shkollimit të brezave.
Ja postimi i plotë i Kurtit:
Pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. Urime e me gëzime!
Vetëpërmbajtja individuale përgjatë një muaji, sakrifica vetëmohuese e kalitja shpirtërore vazhdohen me shumë solidaritet për ata që kanë më pak. Festa është e të gjithëve kur është për të gjithë.
Me dashuri rreth sofrës së përbashkët, plot shpresë në zemra që agjërimi të jetë i pranuar, e me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfrit me fat Fitër Bajramin!
Sivjet dhe sot, Fitër Bajrami përputhet me ditëlindjen e Mulla Idriz Gjilanit i cili e shkriu jetën e vet për leximin dhe mësimin, për shkollimin e brezave, derisa ra dëshmor në betejë për liri e për bashkim kombëtar këtu e 70 vjet më parë.
Le të festojmë sepse le të anojmë kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura.