Aktakuzë ndaj një shtetaseje të RMV-së për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim me prona, dyshoi se shkaktoi dëm rreth 320 mijë euro
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim me prona, duke shkaktuar dëme pasurore në vlerë prej rreth 320 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Divizioni Civil, ka përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për shitjen e pronave të tij në Kosovë.
Përmes këtij dokumenti, ajo dyshohet se ka arritur që gjykata t’ia njohë të drejtën e pronësisë një personi për disa parcela në zonën kadastrale Petroviq të komunës së Shtimes.
Për këtë rast, ajo akuzohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, më 20 tetor 2016, në Ferizaj, e pandehura dyshohet se ka mashtruar një person tjetër, duke pretenduar se kishte autorizim nga xhaxhai për shitjen e pronave të tij.
I dëmtuari dyshohet se kishte kryer pagesa të ndryshme përmes bankës “Raiffeisen”, në llogarinë e të pandehurës, për blerjen e pronës. Mirëpo, më vonë kishte kuptuar se autorizimi i përdorur për shitjen e saj ishte i falsifikuar.
Në këtë rast, dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë 200 mijë euro. Për këtë, ajo akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”.
Lexo edheHamza dhe Çitaku përfundojnë takimin me Kurtin, në fokus Ligji për Specialen
Po ashtu, gjatë vitit 2018, e pandehura dyshohet se ka mashtruar edhe një person tjetër, duke përdorur të njëjtin autorizim të falsifikuar për shitjen e pronës.
Sipas Prokurorisë, ishte lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh, ndërsa blerësi kishte paguar 120 mijë euro, me marrëveshjen që pjesa e mbetur prej 50 mijë eurosh të paguhej pas marrjes së fletës poseduese.
Dëmi në këtë rast dyshohet të jetë 120 mijë euro.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit. /Lajmi.net/



