
Aksione të mëdha kundër Policisë së Serbisë gjatë viteve të ’90-ta kishin kryer 15 drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre, Adem Jashari, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Hashim Thaçi e të tjerë.
Të gjitha këto aksione që kishin rezultuar me vrasje e plagosje policësh serbë, ishin përmbledhur në një aktakuzë të Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës në vitin 1997. Kjo celulë e UÇK-së akuzohej për veprime terroriste që përfshinte vrasjet e policëve dhe ushtarëve serbë, çlirimin e Kosovës nga okupatori dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Shumica prej tyre ishin gjykuar në mungesë. Vetëm Besim Rama, Idriz Asllani dhe Avni Nura ndodheshin në paraburgim. Ndërkaq, Adem Jashari, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kadriu, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Zenun Kadriu dhe Ali Januzi, sipas Prokurorisë serbe ndodheshin në arrati dhe do të gjykoheshin në mungesë.
Gjykimi i këtij grupi kishte nisur më 4 qershor 1997 në Prishtinë. Kishte përfunduar disa vjet më vonë. Gjykata i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me shumë vjet burgim. Presidenti i Kosovës ishte dënuar me dhjetë vjet burgim.
Sot e asaj dite, shteti serb i kërkon këta të “akuzuar” për t’i dërguar në vuajtje të dënimit.
Shumë vjet pas ngritjes së kësaj aktakuze, Insajderi e sjell atë si dëshmi të aksioneve të kësaj celule të UÇK-së kundër policisë serbe që kishte qëllim çlirimin e Kosovës. Detajet e aktakuzës janë përmbledhur edhe në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dokumente dhe artikuj” me autor Gafurr Elshanin.
Gjykimi kishte nisur dhe ishte zhvilluar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, gjykatë kjo që ishte në dorë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Prokurori i rastit, Jovica Jovaniviq, e kishte lexuar aktakuzën para trupit gjykues dhe tre të arrestuarve shqiptarë që akuzoheshin për vepra terroriste sipas legjislacionit të Serbisë.
I pari që ishte marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit ishte Besim Rama, i cili kishte mohuar akuzat se ishte stërvitur në Shqipëri. Rama kishte treguar në gjykatore për torturat që kishte përjetuar gjatë marrjes në pyetje. Kishte thënë se deklaratat i kishte dhënë nën presionin dhe dhunën e ushtruar nga hetuesit serbë.
Prokurori i akuzonte drejtuesit e UÇK-së për “terrorizëm dhe për ndihmë dhënë terroristëve”. Të gjithë të akuzuarit prokuroria i ngarkonte me veprime të kryera që nga viti 1992, deri në vitin 1997.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit pas qëndrimit në Shqipëri, ku ishin stërvitur ushtarakisht bashkë me pjesëtarët e Ushtrisë Shqiptare e nën komandën e oficerëve të saj, në territorin e Komunës së Skenderajt kanë formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën Serbia e konsideronte “organizatë terroriste”.
Prokurori serb pretendonte se “të akuzuarit kanë ndërmarr dy aksione të organizuara dhe të koordinuara të akteve të dhunës, të inspiruar me motive politike për të “rrezikuar rregullimin shtetëror dhe sigurinë e Republikës Federative të Jugosllavisë, që territori i Kosovës dhe trojet e tjera të banuara me shqiptarë të shkëputen nga ajo dhe të formohet shteti i veçantë dhe pastaj t’i bashkohet Shqipërisë”.
Prokuroria thoshte se të akuzuarit kanë siguruar një sasi të madhe të armëve, pushkë automatike, pushkë me snajper, revole, municion, bomba dore e mjete të ndryshme eksplozive dhe pajisje të tjera ushtarake, një pjesë e të cilave i kanë siguruar nga Armata shqiptare.
Besim Rama, Jakup Nura, Rafer Rama, Sami Lushtaku, Iljaz Kadriu dhe Fadil Kadriu, akuzoheshin se më 22 maj të vitit 1993 rreth orës 22:40 në hyrje të Gllogocit, kishin hapur zjarr kundër policëve të turnit të tretë të sacionuar në Gllogoc, të cilët gjendeshin në një kombi. Sipas prokurorisë, kundër tyre ishin shkrepur dhjetëra plumba duke vrarë policët Nebojsha Gjorgjeviq dhe Zvonko Jevtiq, dhe duke plagosur rëndë dhe lehtë policët Zoran Iliq, Sinisha Vidosavljeviq, Miroljup Milenkoviq, Pedrag Perqiq dhe Bojan Mlladenoviq.
Aksioni ishte ndihmuar nga Besim Rama dhe Avni Nura.
Besim Rama, Sahit Jashari, Ali Jonuzi dhe Idriz Asllani, akuzoheshin se më 11 shkurt të vitit 1996 në qendrën shkollore të Vushtrrisë, ku ishin të vendosur refugjatët serbë, kishin hedhur dy bomba të prodhimit kinez të cilat nuk kishin shpërthyer.
Lexo edheKy kosovar gënjeu keq shtetin zviceran për të marrë pension
















