Aksident tragjik në Gjermani: 15-vjeçari merr makinën e babait, përplaset me mjetet e punës dhe vdes

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Hessen të Gjermanisë, ku dy të rinj kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, pasi një Mazda me tetë adoleshentë brenda u përplas me mjete të punës në një rrugë nacionale.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:15, në rrugën L3185, pranë Ober-Lais, pjesë e qytetit Nidda në Hessen.
Sipas policisë, në një Mazda CX-5, i cili ishte i destinuar për pesë persona, ndodheshin plot tetë adoleshentë të moshës 14 dhe 15-vjeçare.
Përplasja ka qenë frontale dhe jashtëzakonisht e fuqishme. Për pasojë, pjesa e përparme e automjetit është shkatërruar tërësisht.
Dy nga të rinjtë nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve. Një nga viktimat ishte 15-vjeçari që drejtonte automjetin, ndërsa viktima tjetër ishte një vajzë 14-vjeçare.
Adoleshentët e tjerë kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spitale. Sipas të dhënave të fundit të policisë, ata nuk janë në rrezik për jetën. Disa prej të lënduarve janë transportuar me helikopterë të emergjencës, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.
Në aksident janë lënduar edhe dy punëtorë që ndodheshin në një kamion pune. Një 53-vjeçar ka marrë lëndime të rënda, ndërsa kolegu i tij 57-vjeçar është lënduar lehtë. Një punëtor i tretë, 28-vjeçar, ka shpëtuar pa lëndime.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, automjeti i përfshirë në aksident i përkiste babait të 15-vjeçarit që humbi jetën.

Lexo edheVeturën me gruan brenda e hodhi në det, arrestohet 45-vjeçari shqiptar në Itali
Babai i tronditur ka deklaruar për televizionin RTL se nuk mund ta kuptonte pse djali i tij e kishte marrë automjetin.
Sipas tij, 15-vjeçari nuk kishte përvojë në drejtimin e makinës dhe nuk kishte vozitur më parë fshehurazi.
Ende nuk dihet se përse Mazda ka dalë në drejtim të mjeteve të punës, të cilat dyshohet se ishin të rrethuara me kone sinjalizuese.
Nga fuqia e përplasjes, një rimorkio që ndodhej para kamionit është shtyrë mbi të, ndërsa kamioni është përplasur më pas me një automjet tjetër të punës.
Me urdhër të Prokurorisë, një ekspert është angazhuar për të rindërtuar aksidentin dhe për të përcaktuar rrethanat e tij.
Shkaqet dhe mënyra se si ka ndodhur përplasja mbeten ende të paqarta. Rruga L3185 është mbyllur për disa orë pas aksidentit.














