Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë në Vlorë këtë të diel (1 qershor), si pasojë e një aksidenti.
Ngjarja u regjistrua në vendin e quajtur “Pusi i Mezinit”, ku dy të rinjtë, të moshës 19 dhe 22 vjeç, kanë humbur kontrollin e motorit me të cilin po udhëtonin, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë tjetër druri.
Fatkeqësisht, përplasja rezultoi fatale për 19-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë,22-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.
Policia po punon gjithashtu për identifikimin e viktimës dhe të të plagosurit./RTSH