Blerton Jakupi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se gjatë ditës së djeshme në Ferizaj ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku të përfshirë kanë qenë pesë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor.
‘‘Pesë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor janë përfshirë dje në një aksident të rëndë trafiku në qytetin tonë. Me zemër të rënduar, lutemi që gjendja e tyre të stabilizohet sa më shpejt dhe që të gjithë të kthehen shëndoshë pranë familjeve të tyre. Kam pasur nderin të punoj me këta njerëz, profesionistë, të përkushtuar, të ndershëm e me shpirt pune dhe kjo ngjarje më ka prekur thellë. Këto momente na kujtojnë sa e brishtë është jeta, sa shpejt mund të ndryshojë gjithçka, dhe sa shumë duhet ta vlerësojmë njëri-tjetrin përtej çdo detyre apo përkatësie. Shërim të shpejtë për secilin prej tyre. Lutje për shëndet, forcë e jetë për të gjithë të përfshirët!’’, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Jakupi, përmes një postimi tjetër të bërë pak më parë, ka thënë edhe se sipas informatave që ka ai, njëri nga të lënduarit është në gjendje kome.
“Sipas informatave të fundit, një prej tyre është ende në gjendje kome, një tjetër sapo ka dalë nga operimi, ndërsa tre të tjerë po marrin trajtim për lëndimet që kanë pësuar. Ferizaji sot lutet bashkë. Lutet për shërim, për jetë, për kthim të shpejtë e të sigurt pranë familjeve të tyre. Zoti ju ruajtë e ju japë forcë në këtë betejë!”, ka shkruar ai.
Po ashtu lidhur me rastin detaje për lajmi.net, ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli.
Veseli ka thënë se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.
“Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime trupore ku ne këtë aksident trafiku ishin te përfshira dy automjete : një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas tretmanit mjekësorë ne emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtine për tretman te mëtutjeshëm mjekësor. Për këtë aksident është njoftuar edhe prokurori kujdestar”, ka thënë Veseli për lajmi.net.