Kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa në skenën politike nuk ka ndonjë lëvizjeve konkrete.
Kjo situatë ka shtuar pasigurinë dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e arritjes së një konsensusi brenda afatit kushtetues.
Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se vonesat lidhen me kalkulime strategjike dhe mungesë dakordimi mes subjekteve politike, të cilat pritet të intensifikojnë negociatat në ditët e fundit.
Ndërkohë, kalimi i afatit pa zgjedhjen e presidentit mund të çojë vendin drejt një situate të re politike, me pasoja të mundshme për stabilitetin institucional, derisa pozicionet e tanishme të partive nuk ofrojnë zgjidhje.
” Aktualisht qëndrimet momentale nuk ofrojnë zgjidhje. Qëndrimet qe kane zgjedhur partitë politike janë qëndrime qe nuk janë aspak kreative dhe si te tilla nuk ofrojnë zgjidhje te qëndrueshme ne përpjekjen serioze për t’i kompletuar institucionet e Kosovës. Kjo qasje strategjike ndoshta mund te jete edhe si një përpjekje për te përcaktuar pozicioni te secila parti politike dhe mendoj qe kur te bëhen 10 dite ose nje jave mund te kete intensifikim..”, tha Dorajet Imeri, politolog.
Duke parë mosgatishmërinë e partive politike për një marrëveshje për çështjen e presidentit të tjerë analistë thonë se vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
“Duket që nuk ka disponim të madh për arritur një marrëveshje politike mes subjekteve politike sepse duhet të ketë numra duhet të ketë 81 deputet në sallë dhe duhet të ketë marrëveshje politike dhe ky disponim fare nuk është dhe sipas mendimit tim vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme dhe më duke se të gjithë janë të interesuar jo me dëshirën e tyre por për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike…”, tha Sadik Zeqiri, analist politik.
Por shkuarja eventuale e vendit në zgjedhje, do të do të paraqiste një kosto shtesë për Kosovën, raporton rtk.
“Vendi hynë në një cikël të ri zgjedhje kur partitë politike hyjnë në garë agjenda legjislative ndalet sepse shpërndahet Kuvendi i Republikës, dhe shumë çështje të cilat duhet të trajtohen me urgjencë sidomos agjenda legjislative mbesim për një moment tjetër të përshtatshëm dhe ky moment i përshtatshëm vështirë se do të vinte pa një marrëveshje politike, sepse edhe pasi të mbahen zgjedhjet çështja e presidentetit do të mbetet çështje kyçe…”, tha Imeri.
Përderisa koha po afron, mbetet të shihet nëse spektri politik do të arrijë një marrëveshje në minutat e fundit, apo vendi do të përballet me një tjetër ngërç institucional.