Administrimi i pasurive të krimit, Shqipëria bashkëpunon me Italinë

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) zhvilloi një takim zyrtar pranë zyrave të homologëve italianë të Agjencisë Kombëtare për Administrimin dhe Destinimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara nga Krimi i Organizuar (ANBSC), në Itali.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ranë dakord për nisjen e procedurave për një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, e cila do të fokusohet në shkëmbimin e informacionit, ndarjen e eksperiencave dhe rritjen e kapaciteteve profesionale, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian dhe atyre ndërkombëtare në fushën e administrimit të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, vlerësoi modelin italian dhe eksperiencën shumëvjeçare të ANBSC-së në luftën kundër krimit të organizuar, si edhe në menaxhimin efektiv të aseteve të paligjshme.
Nga ana tjetër, Drejtoresha e ANBSC-së, Maria Rosaria Lagana, theksoi se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve është në interes të përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë, duke pasur parasysh natyrën ndërkufitare të aktiviteteve kriminale dhe afërsinë gjeografike mes dy vendeve.

Lexo edheTeherani paralajmëron: Asnjë litër naftë nuk kalon Hormuzin pa lejen e Iranit
Në fokus të diskutimeve ishte edhe organizimi i workshopeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve, me synim shkëmbimin e eksperiencave profesionale, rritjen e kapaciteteve teknike dhe përmirësimin e performancës.
AAPSK vlerëson se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ndarja e praktikave më të mira mbeten elementë thelbësorë për forcimin e mekanizmave të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe për rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar.












