Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij mendon që është e logjikshme që nëse partia e parë fituese s’e përdor të drejtën e saj kushtetuese për të konstituuar Kuvendin, kjo e drejtë t’i kalojë tjetërkujt.
“Në këtë fazë, LDK beson që i ka takuar e drejta dhe përgjegjësia për të bërë shumicë siç e thotë aktgjykimi i Kushtetueses. Nëse i pari për 30 ditë s’arrin ta përmbushë këtë të drejtë, do të ishte e logjikshme, sikurse në rastin e qeverisë, që dikush tjetër të provojë të bëjë një gjë të tillë. Pra, t’i humbet edhe e drejta”.
Ai tha se vetëm me marrëveshje politike krijohet shumica e më pas institucionet.
“Natyrisht që duhet vetëm marrëveshje politike. Mirëserdhët në demokraci. Kështu bëhen institucionet me marrëveshje politike. Pra, ulen partitë politike dhe bëjnë marrëveshje. I pari s’ka dashur marrëveshje politike, i pari ka vendosur një proces votimi jokushtetues sepse aktgjykimi i Kushtetueses vendos diçka të tillë dhe i ka shpenzuar 30 ditë, tani i takon Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë se çfarë bëhet tutje. Ne po japim një mendim tonin se kjo mund të jetë një rrugë përpara. Meqenëse i pari s’do t’i bëjë institucionet, le t’i merret e drejta sepse s’mund të presim vazhdimisht”.