BallinaLajmeAbdixhiku: Vendimi i Kushtetueses rikthen përgjegjësinë te shumica, presidenti duhet të jetë...

Abdixhiku: Vendimi i Kushtetueses rikthen përgjegjësinë te shumica, presidenti duhet të jetë figurë bashkuese

Të ngjajshme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se ky vendim sjell qartësi institucionale dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes për hapat e mëtejshëm politikë.

Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK e respekton plotësisht aktgjykimin dhe vlerëson se ai nuk krijon epërsi për asnjë palë, por e rikthen procesin në Kuvend, duke u dhënë deputetëve edhe një afat shtesë për zgjedhjen e presidentit, raporton lajmi.net

Sipas tij, përgjegjësia kryesore për përmbylljen e këtij procesi bie mbi shumicën parlamentare, e cila, siç tha ai, ka pasur kohë dhe mundësi të mjaftueshme për të ofruar një zgjidhje.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.
Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.
Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.
Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.
Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë.
Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.
Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin./Lajmi.net/
- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz