Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ndarë emocionet e tij për ndeshjen e sotme ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Në një shkrim të gjatë, Abdixhiku shkroi se i tërë populli është me sy, mendje dhe shpirt në Prishtinë.
“Larg ëndrrës sonë gjeneracionale me të gjitha parafytyrimeve që i kishim si fëmijë. Ne, në Botëror; pa na pyetur më askush se me kë je. Brazil, Argjentinë, Itali, Gjermani; nuk ka më rëndësi. Tani kemi shtetin tonë aty!” shkroi Abdixhiku.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Natyrisht se jemi përplot emocione. Një popull i tërë me sy, mendje e shpirtë në Prishtinë. Natyrisht se kjo s’mund të jetë një natë e zakonshme.
Jemi vetëm 90 minita larg historisë.
Larg ëndrrës sonë gjeneracionale me të gjitha parafytyrimeve që i kishim si fëmijë. Ne, në Botëror; pa na pyetur më askush se me kë je. Brazil, Argjentinë, Itali, Gjermani; nuk ka më rëndësi. Tani kemi shtetin tonë aty!
Kosova në Botëror. Sa bukur tingëllon!
Rrugëtimi ynë futbollistik nuk është i zakonshëm. Në fakt, është i jashtëzakonshëm. Dhe profecia futbollistike e Kosovës ka një sens të shkëlqyeshëm. Kemi ëndërruar me Fadilin, me Vokrrin, përfaqësimin jashtë, dhe sonte, në fushën e tij, synojmë majën e këtij përfaqësimi.
Sepse futbolli i Kosovës nuk u rrit në kushte normale. U rrit nën pushtim, nën frikë, në mungesë e përjashtim. U rrit në shtypje. Në fusha ku loja ishte më shumë se lojë; ishte rezistencë. U zhvillua përmes refuzimesh, në një botë që shpesh nuk pranonte as vetë ekzistencën tonë si shtet. U ngrit në këmbë në dyshim, atëherë kur të tjerët thoshin se kjo kombëtare nuk duhej të ekzistonte hiç.
Dhe ja ku jemi sot. Para 10 vitesh na bënë një vend në hartën e FIFA-s. Festuam se na u dha një mundësi. Kaq ma duhej! Sot, 10 vite më pas, jemi 90 minuta larg Botërorit. Këta jemi ne!
Kjo është historia jonë. Nuk dorëzohemi. Nuk ndalemi. Mangut asgjë! Bëjmë shtet. Bëjmë kombëtare. Ndërtojmë ëndra. I realizojmë ëndrrat. Dhe pavarësisht se si përfundon kjo natë sonte, e ardhmja jonë do të jetë e bukur! Kemi arritur diçka që pak kush e arrinë. Beismin. Besimin se ja dalim. E kur Kosova beson në diçka, e bën; veç çështje kohe.
Le të shkojmë në Botëror sonte! Për popullin tonë. Për gjeneratat tona që shtruan rrugën për këtë ditë. Për të gjithë ata femije që dukur ëndërronin këtë ditë, për të gjithë ata që besuan, që punuan, që fituan!
Forca djema!