back to top
Wednesday, August 27, 2025
BallinaLajmeA mund të dështojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut?

A mund të dështojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut?

Të ngjajshme

Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se Qeveria mund të emërojë komisionarë, nëse zgjedhjet lokale nuk japin rezultat. Kjo mund të ndodhë sidomos në komunat e vogla, ku ka pak votues ose shumë njerëz janë larguar jashtë vendit, thonë analistët.

Nëse as pas rundit të dytë të zgjedhjeve nuk zgjidhet kryetari i një komune, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut duhet ta njoftojë Qeverinë e vendit.

Në atë rast, brenda 15 ditësh, Qeveria do të emëronte një komisionar, që do t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të komunës.

Pastaj, Qeveria do ta njoftonte Kuvendin, i cili, brenda 60 ditësh, do të shpallte zgjedhje të reja në atë komunë.

E gjithë kjo është e rregulluar kështu me nenin 134 të Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhja e komisionarit nuk ka kritere të veçanta, por zakonisht ai zgjidhet nga komuna ku jeton. Dhe, mandati i tij është i përkohshëm, derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja.

Njoftimi i Mickoskit pasoi vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të lehtësuar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, me vetëm dy nënshkrime, në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Kjo ngriti shqetësime se fleta e votimit mund të bëhet shumë e gjatë dhe e ngatërruar.

“Çdo gjë është e mundur. Fleta e votimit mund të jetë 7-8 metra e gjatë, për të penguar qytetarët që të dalin. Por, dua të paralajmëroj se sipas Kushtetutës dhe ligjit, nëse zgjedhjet nuk janë të suksesshme, Qeveria emëron komisionarë”, tha Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Si zgjidhen kryetarët e komunave dhe këshilltarët në Maqedoninë e Veriut?

Për të zgjedhur kryetarin e komunës në rundin e parë, duhet të votojë së paku një e treta e votuesve të regjistruar.

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e nevojshme, rundi i dytë zhvillohet mes dy kandidatëve më të votuar në rundin e parë. Kandidati që fiton më shumë vota në rundin e dytë, zgjidhet kryetar.

Nëse as pas rundit të dytë nuk zgjidhet kryetari, KSHZ-ja e njofton Qeverinë dhe Qeveria ndërhyn sipas ligjit.

Për zgjedhjen e këshilltarëve nuk kërkohet pjesëmarrje minimale. Ulëset në këshill ndahen sipas numrit të votave që merr secila listë kandidatësh.

Skenari i zgjedhjeve të pasuksesshme, i mundshëm në komunat më të vogla

Analistët politikë paralajmërojnë se zgjedhjet për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut mund të dështojnë në disa komuna më të vogla – sidomos në ato që janë më të prekura nga emigracioni.

“Nuk pres që në një numër të madh komunash të mos arrihet pragu. Por, në komunat më të vogla, ku ka pak interes për të votuar, abstenimi mund të çojë në dështim të procesit. Këto zakonisht janë zona me popullsi shumë të vogël. Nuk pres që kjo të ndodhë në Shkup apo në qytetet e mëdha”, thotë Aleksandar Novakovski, ish-kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, për Radion Evropa e Lirë.

Ai paralajmëron, gjithashtu, për rreziqet nga numri i madh i kandidatëve dhe mundësinë e manipulimeve.

“Shpresojmë që këto të mos ndodhin. Por, nëse ndodhin, mund të ketë pasoja serioze në përpunimin e të dhënave, kosto financiare dhe fletëvotime tepër të gjata. Po ashtu, mund të rrezikohet fshehtësia e votës, si dhe të ketë shumë ankesa”.

“Nga përvoja ime, keqpërdorimet janë të mundshme. Për shembull, një parti që e di se nuk mund të fitojë në një komunë, mund t’u thotë mbështetësve të saj të regjistrohen si kandidatë. Imagjinoni 1.000 kandidatë në një fletëvotim…”, thotë Novakovski.

Analisti politik, Sefer Selimi, thotë se deklarata e kryeministrit Mickoski për mundësinë e emërimit të “të besuarve” të Qeverisë, në rast se dështojnë zgjedhjet lokale, duket më shumë si një mënyrë për t’i dekurajuar kandidatët e pavarur.

Zgjedhjet lokale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut më 31 tetor 2021.
Zgjedhjet lokale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut më 31 tetor 2021.

Sipas tij, partitë tradicionale gjithmonë kanë vendosur pengesa shtesë për pjesëmarrjen e tyre.

“Mundësia për të emëruar të besuar qeveritarë është shumë e vogël. Edhe nëse ndodh, përsëri duhet të ketë zgjedhje, ku qytetarët vendosin, e jo kryeministri”, thotë Selimi.

Kriteret për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje duhej të përcaktoheshin përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thirri një seancë të jashtëzakonshme më 16 gusht, por propozimi nuk u miratua.

Kuvendi pritet të mbajë edhe dy seanca para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale – më 2 dhe më 12 shtator.

Kondarko: Kemi mekanizma për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, Boris Kondarko, tha se edhe nëse ka numër të lartë të kandidatëve të pavarur – pasi tani u mjaftojnë vetëm dy nënshkrime për të garuar – KSHZ-ja i ka mekanizmat për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ai pranoi se numri i lartë i tyre mund ta bëjë procesin më të kushtueshëm, por tha se nuk do ta pengojë organizimin.

“Do të shohim pas afatit të dorëzimit të listave, më 13 shtator, se sa kandidatë do të regjistrohen, sa do t’i plotësojnë kushtet dhe sa do të konfirmohen. Ne do t’i përshtatim fletëvotimet në mënyrë që të respektohen të drejtat e të gjithëve”, tha Kondarko për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2021, dy komuna në Maqedoninë e Veriut – Mavrovë-Rostushë dhe Qendra Zhupa – mbetën pa kryetarë komune dhe u drejtuan përkohësisht nga përfaqësues të emëruar nga Qeveria.

Në rundin e parë, zgjedhjet nuk u zhvilluan me sukses, sepse në votime morën pjesë vetëm rreth 25 për qind e qytetarëve – shumë më pak se pragu i kërkuar.

Në rundin e dytë, në Mavrovë-Rostushë, kandidati u tërhoq, ndërsa në Qendrën Zhupë përsëri nuk u arrit numri i nevojshëm i votuesve./REL

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz