Sy e veshë janë kah Gjykata Kushtetuese.
Vendimi i saj pritet t’i japë drejtim dhe zgjidhje ngërçit politik në vend, shkruan lajmi.net.
Deri më 8 gusht, Kushtetuesja e ka vendosur në pauzë Kuvendin e Kosovës, derisa të dalë me një vendim final sa i përket çështjes së konstituimit të tij.
Por, a mund të ndodhë që Kushtetuesja ta dërgojë vendin drejtpërdrejt në zgjedhje? A duhet të konstituohet Kuvendi fillimisht për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme? Kur mund të mbahen zgjedhjet, nëse Gjykata merr një vendim të tillë?
Këto dhe shumë çështje të tjera i ka sqaruar për lajmi.net Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Cakolli fillimisht sqaroi se, edhe nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë në fuqi do të hyjë roli i Presidentes.
“Në rast se Gjykata Kushtetuese do të arrinte në përfundimin se, për shkak të dështimit të vazhdueshëm për konstituimin e Kuvendit, është shteruar mandati kushtetues i Kuvendit – në përbërjen aktuale – kjo do të hapte rrugë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Megjithatë, edhe nëse një vendim i tillë merret nga Gjykata, ai nuk do të përkthehej automatikisht në një datë zgjedhjesh, pasi roli i Presidentes hyn në fuqi menjëherë pas këtij konstatimi”, u shpreh ai.
Tutje, Cakolli foli edhe për afatet kohore në të cilat mund të mbahen zgjedhjet, nëse Kushtetuesja merr një vendim të tillë.
“Bazuar në praktikën e deritanishme dhe dispozitat ligjore, Presidentja duhet të zhvillojë konsultime me partitë politike para se të caktojë datën – një proces që zakonisht merr disa ditë, por që duhet të përmbyllet brenda 10 ditësh. Zgjedhjet, pastaj, duhet të mbahen brenda një periudhe prej 30 deri në 45 ditë nga data e shpalljes.”
“Kjo do të thotë se, në rast të një vendimi të Gjykatës në javën e parë të gushtit, afatet reale për mbajtjen e zgjedhjeve bien në mesin apo fundin e shtatorit, me një dritare që mund të shtrihet maksimalisht deri në javën e parë të tetorit, varësisht nga data konkrete e shpalljes. Kësisoj, pavarësisht se aktgjykimi eventual i Gjykatës është ai që e zhbllokon situatën, është Presidentja ajo që e konkretizon datën – brenda një hapësire të përcaktuar kohore”, tha ai.
A duhet të konstituohet Kuvendi për të shkuar në zgjedhje? – kjo ishte një nga çështjet që Cakolli komentoi.
“Në Kushtetutën e Kosovës nuk parashikohet qartësisht një procedurë për shpërndarjen e një Kuvendi të pakonstituar. Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë që Gjykata Kushtetuese të konstatojë dështimin për të ushtruar funksionin kushtetues, e cila nuk është njësoj me shpërndarjen klasike të legjislaturës. Në këtë kontekst, Gjykata mund të arsyetojë se mosrealizimi i konstituimit brenda afatit 30-ditor të parashikuar nga neni 66 i Kushtetutës dhe përpjekjet e dështuara për ta përmbyllur këtë proces përbëjnë në vetvete konsumim të mandatit kushtetues.”
“Një interpretim i tillë do të bazohej jo në faktin nëse Kuvendi është formuar apo jo, por në faktin nëse ai ka funksionuar dhe ka arritur të përmbushë detyrën themelore për të filluar punën. Në këtë mënyrë, nuk do të kërkohej më një akt formal shpërndarjeje nga brenda Kuvendit, pasi mungesa e konstituimit vetvetiu përbën bllokim të pazgjidhshëm institucional, që mund të trajtohet nga Presidentja pas një vendimi të Gjykatës”, shtoi ai.
Mbajtja e zgjedhjeve lokale së bashku me ato nacionale është përmendur dhe parë si një opsion i mundshëm nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Por, a është e mundur kjo dhe a lejohet ligjërisht?
“Nuk ka ndalesë ligjore që pamundëson mbajtjen e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht. Megjithatë, në praktikë, realizimi i një skenari të tillë është i komplikuar, për arsye teknike, logjistike dhe sidomos në kuptim të afateve për operacionet zgjedhore.”
“Nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte vendimin për zgjedhje të jashtëzakonshme brenda javëve të para të gushtit, atëherë – duke marrë parasysh kohën për konsultime dhe përgatitje – zgjedhjet parlamentare do të duhej të mbaheshin në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Ndërkaq, zgjedhjet lokale janë të caktuara për datën 12 tetor.”
“Për më tepër, organizimi i dy proceseve zgjedhore në të njëjtën ditë do të krijonte barrë shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të rriste mundësitë për ngatërrime dhe sfida procedurale, sidomos në kontekstin e një atmosfere të tensionuar politike. Ndaj, edhe pse teorikisht e mundur, mbajtja e dy palë zgjedhjeve paralelisht duket shumë pak e mundshme në këtë fazë – përveç nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të shtyhej drejt fundit të gushtit apo fillimit të shtatorit, çka do ta ngushtonte hendekun kohor mes zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe atyre lokale, deri në mbajtjen e tyre eventuale në të njëjtën ditë”, përfundoi Eugen Cakolli nga IKD. /lajmi.net/