Taylor Swift ka njoftuar daljen e albumit të saj të ri, por ajo që ka zgjuar më shumë kureshtje tek fansat është mungesa e producentit të saj të hershëm dhe mikut të ngushtë, Jack Antonoff.
Edhe pse kanë bashkëpunuar ngushtë për më shumë se një dekadë, emri i tij nuk figuron në listën e bashkëpunëtorëve të albumit të ri “The Life of a Showgirl”.
Albumi, i cili do të publikohet më 3 tetor, përmban 12 këngë, mes tyre edhe një duet me këngëtaren e njohur Sabrina Carpenter, që shfaqet në këngën titullare.

Ndërkohë që Swift ka tërhequr vëmendjen me detaje si kopertina dhe lista e këngëve, vëzhguesit e vëmendshëm vunë re një element befasues – mungesën e Antonoff, producentit që ka qenë pjesë kyçe e projekteve të saj për më shumë se dhjetë vjet.
Jack Antonoff, i njohur si frontmen i grupit Bleachers dhe ish-anëtar i bendit Fun, nisi bashkëpunimin me Taylor në vitin 2013 me këngën Sweeter Than Fiction, të shkruar për filmin One Chance.
Vetëm një vit më pas, ai punoi në disa prej hiteve të albumit të saj të suksesshëm 1989, dhe që prej asaj kohe ishte producent i pandashëm në pothuajse çdo projekt të këngëtares – përfshirë edhe albumin më të fundit The Tortured Poets Department, transmeton telegraf.
Mungesa e tij e papritur nga albumi i ri ka nxitur spekulime të shumta në rrjetet sociale: a është fjala për një ndërprerje të bashkëpunimit profesional apo ndoshta për një ftohje në marrëdhënien e tyre personale? Deri më tani, as Taylor Swift dhe as Jack Antonoff nuk kanë dhënë ndonjë koment mbi situatën.