A do t’ju kthehen paratë që kanë paguar kosovarët për rezervimin e dasmave?
Pas paralajmërimeve se këtë verë mund të mos ketë organizime të dasmave e ahengjeve të tjera familjare, për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19, shumë qytetarë janë shprehur të shqetësuar pasi tashmë kanë rezervuar restorantet dhe kanë paguar avanc, për dasmat e tyre ose ahengjet të ndryshme familjare.
Ata kanë paguar shuma nga më të ndryshme avanc nëpër restorante e hotele të Kosovës , por që nuk dihet nëse do t’i marrin mbrapsht ato para nëse merret vendim për anulimin e dasmave dhe ahengjeve.
Një qytetar ka thënë për lajmi.net se i kanë paguar 500 euro avanc për dasmën të cilën kanë menduar ta mbajnë në korrik.
Mirëpo, ai thotë se nuk e di nëse do t’i marrin përsëri paratë që i kanë paguar, nëse nuk mund ta mbajnë dasmën. Madje thotë se ka person që kanë paguar edhe nga mbi 1 mijë euro avancë.
“I kemi paguar 500 euro në momentin kur e kemi rezervuar dasmën për në korrik. Kam dëgjuar se kjo shumë caktohet varësisht nga shuma totale për rezervimin e sallës, si dhe varet edhe nga vlera e menysë. Nëse nuk mund ta mbajmë dasmën, nuk e di nëse do t’i marrim përsëri paratë. E di qe ka persona të tjerë që kanë paguar edhe nga mbi 1 mijë euro”, ka thënë D.Sh, qytetar nga Prishtina për lajmi.net.
Mirëpo Visar Demolli, nga shoqata e Hotelierëve të Kosovës thotë se në bazë të marrëveshjes mes pronarëve të restoranteve ose hoteleve dhe dasmagjive, ose shtyhet data ose atyre ju kthehet avanci.

Lexo edheVeterani i UÇK-së bën këtë gjest të madh për familjet në nevojë
“Ne sot në ora 12 ishim në takim me zëvendësministrin e Tregtisë dhe nuk qëndron ajo që është deklaruar nga ministri Vitia, është keqinterpretuar ajo deklaratë, qysh e argumentojë zëvendës ministri. Nuk ka vendim që të mos mbahen dasmat këtë vit. Pra, nuk ka vendim përfundimtar. Këtu po shifet që mundësia shumë e mirë është që edhe ne te jemi në fazën e tret, pra që fillon me me 2 qershor. Krejt varet prej neve se çfarë masa kemi me marrë si pronar, si hotelier, si pronar restoranteve e të tjera çka lidhen direkt me neve. Kështu që për këta muajt prill, maj, qershor çka janë. Këto sigurt që kanë bërë marrëveshje pronarët e restorante direkt me dasmagjit. Kanë bërë marrëveshje ose për shtyrje e datës ose për ose ju ka kthyer avanci ose kapari”
Ai është i bindur se sezoni i dasmave do të fillojë me 1 korrik
“Po normal që i kthejnë besojë që i kthejnë ato se nuk ka asgjë të keqe aty. Po ne po shpresojmë se s’ka me ndodh ajo hiç. Nga 1 korriku jemi të sigurt dhe jemi optimist që kanë me fillu dasmat. Po me masa qysh i parashohim ne dhe kjo varet edhe prej IKSHPK-së”, ka thënë Demolli.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, ka marrë vendim për lehtësimin e masave në tri faza. Faza 1 nga 4 maj deri 18 maj, faza 2 18 maj deri me 2 qershor dhe faza 3 nga 2 qershori deri në vendimin e radhës.














