Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Gjermani. Autoritetet kanë arrestuar një grua 32-vjeçare, e cila dyshohet se ka vrarë djalin e saj tre muajsh në qytetin e Renningen, pranë Stuttgart.
Sipas policisë, 32-vjeçarja Dijana L. kishte raportuar më 18 qershor se foshnja e saj ishte rrëmbyer. Megjithatë, të nesërmen në mëngjes, trupi i pajetë i djalit u gjet në një përrua, rreth 500 metra larg banesës së tyre, raporton Bild.
Pas hetimeve dhe rezultateve të reja të ekspertizës mjeko-ligjore, prokuroria ka forcuar dyshimet ndaj nënës. Fillimisht, hetuesit dyshonin se ajo kishte sajuar historinë e rrëmbimit dhe kishte braktisur foshnjën. Tashmë, ndaj saj është lëshuar urdhër arresti nën dyshimin për vrasje.
Sipas mediave gjermane, foshnja, i identifikuar si Adriani, kishte lindur para kohe. Raportohet se nëna kishte kuptuar se ishte shtatzënë vetëm në muajin e pestë. Ajo jetonte në një apartament të vogël dhe me kushte të vështira, ndërsa fqinjët kanë përshkruar konflikte të shpeshta dhe zhurmë të vazhdueshme në banesë.
Hetimet për rrethanat e plota të vdekjes së foshnjës vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin më shumë detaje në ditët në vijim.