Kryesia e PDK-së ka mbajtur mbledhjen e radhës për të diskutuar në lidhje me rezultatin zgjedhor dhe zgjedhjet e brendshme të partisë që do të mbahen këtë vit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se gjatë periudhës së fundit, PDK-ja është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave të saj, transmeton lajmi.net.

Procesi i brendshëm i PDK-së pritet të filloj në shtator të këtij viti.
Komunikata e plotë:
Kryesia e PDK-së diskuton rezultatin zgjedhor dhe paralajmëron zgjedhje të brendshme këtë vit
Prishtinë, 9 qershor – Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të PDK-së.
Kryesia vlerësoi se pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, përbën një sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e madh shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar gjatë viteve të fundit.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve u vlerësua se kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati zgjedhor ishte i paracaktuar, duke ndikuar në dekurajimin e tyre për të dalë në votime.
Pavarësisht këtyre rrethanave, Kryesia vlerësoi se PDK-ja mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përqindjen e përfaqësimit politik, me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se gjatë periudhës së fundit, PDK-ja është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave të saj.
Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së.
Kryesia diskutoi mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor të fillojë në shtator 2026.
Po ashtu, u ritheksua edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, si një proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të reflektuar mbi secilin mësim të nxjerrë nga procesi zgjedhor dhe për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe interesit shtetëror të Republikës së Kosovës./lajmi.net/