Një shofer 73-vjeçar ka shkaktuar bllokim të trafikut në kantonin Solothurn pasi injoroi ndalimin për automjetet mbi 3.5 tonë dhe mbeti i bllokuar në një kthesë të ngushtë malore.
Incidenti ndodhi të premten pasdite në rrugën Balmbergstrasse, pranë zonës Welschenrohr, kur shoferi vazhdoi rrugën drejt Balmbergut pavarësisht sinjalizimit të qartë të ndalimit.
Sipas policisë kantonale, autohoma mbeti e bllokuar në një kthesë të ngushtë djathtas dhe nuk mund të lëvizte më. Për nxjerrjen e saj u desh ndërhyrja e një kompanie të specializuar për tërheqje automjetesh, transmeton albinfo.ch.
Për shkak të operacionit të shpëtimit, rruga Balmbergstrasse qëndroi e mbyllur për rreth tre orë. Autoritetet nuk raportuan të lënduar, por incidenti shkaktoi probleme në qarkullim në zonën malore.