Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar organizatën joqeveritare “Diakonie Kosova”, e cila operon në vend prej rreth 25 vitesh dhe ofron programe të ndryshme sociale në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, Gërvalla theksoi rëndësinë e përfshirjes sociale, duke vlerësuar punën e përditshme të stafit të organizatës në mbështetje të grave, vajzave dhe familjeve në nevojë. Ajo u shpreh se përfshirja sociale merr kuptim të plotë vetëm kur shndërrohet në angazhim konkret dhe kujdes të vazhdueshëm për qytetarët, njofton zyra për informim e kësaj ministrie.
Në ambientet e kësaj organizate, ministrja u takua me përfituese të programeve trajnuese në fusha si rrobaqepësia, kuzhina dhe parukeria, të cilat synojnë fuqizimin ekonomik dhe social të tyre. Po ashtu, u theksua roli i mbështetjes psikologjike dhe kujdesit shëndetësor në ndërtimin e stabilitetit dhe besimit te individët.
Bëhet e ditur se Gërvalla tha se iniciativa të tilla duhet të mbështeten dhe të zgjerohen nga institucionet, duke i cilësuar ato si modele bashkëpunimi që forcojnë komunitetin dhe vetë shtetin.
“Përfshirja sociale nuk është zgjedhje politike. Është përgjegjësi shtetërore”, tha ajo në përmbyllje të vizitës.