Policia e Kosovës ka liruar para pak minutash zëdhënësin e Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku, si dhe shoferin e nënkryetarit të komunës, Bekim Nura. Të dy ishin arrestuar mbrëmë në lidhje me incidentin e raportuar ndaj Hysni Mehanit, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.
Sipas informacioneve të deritanishme, lirimi i tyre ka ndodhur pas procedurave fillestare policore, ndërsa rasti mbetet ende nën hetim.
Ndërkohë, Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, ka deklaruar se ende nuk ka nisur intervistimi i plotë i të përfshirëve, duke shtuar se pritet ardhja e njësitit përkatës për intervistim.
Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrin e Brendshëm, duke e cilësuar ndërhyrjen e njësive policore si “provokim”.
“Ku ka sjellë edhe me urdhër të Sveçlës dhe Albin Kurtit njësinë speciale me armë të gjata… shihet qartë që ka provokim prej pushtetit,” deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët po qëndrojnë në përkrahje të Sami Lushtakut dhe se, sipas tij, ata “janë me të vërtetën dhe jo me propagandën”.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një version të zgjeruar zyrtar mbi rrethanat e incidentit, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
- Advertisement -