Ish-kryeshefi i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, është liruar, pasi u arrestua nga aksioni i Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Restelica dhe dy të tjerë, Fitim Sertolli dhe Ndriçim Sogojeva u arrestuan të enjten, nën dyshime për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme lidhur me tjetërsimin e pronave.
Pas intervistimit, Restelica është liruar në procedurë të rregullt, raporton IndeksOnline.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit të enjten kryen bastisje në katër lokacione të ndryshme, duke përfshirë shtëpitë e të dyshuarve dhe zyrat e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Gjatë këtyre bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar prova materiale që dëshmojnë stilin luksoz të jetesës dhe mjetet e përdorura për veprimtarinë e dyshuar: Veturë Audi Q7 (2017) – Vlera rreth 40,000 euro, veturë Skoda – vlera rreth 38,000 euro, orë dore Rolex si dhe pajisje teknologjike: 5 telefona, 4 USB, laptop dhe një HDD i jashtëm.