Ferizaj FC ka shprehur pakënaqësi të thellë pas ndeshjes së sotme ndaj Gjilanit, e cila përfundoi me barazim, duke kritikuar ashpër vendimet e gjyqtarëve që sipas klubit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën dhe rezultatin e takimit.
Në reagimin zyrtar, klubi nga Ferizaj thekson se disa episode kyçe të ndeshjes janë gjykuar në mënyrë të padrejtë. Sipas tyre, në dy raste të qarta kapiteni i skuadrës është ndalur në mënyrë të palejuar nga lojtarët kundërshtarë, por nuk është akorduar faull në favor të tyre. Në një prej këtyre situatave, lojtari i Ferizajt është ndëshkuar edhe me karton të verdhë, të cilin klubi e cilëson si të padrejtë.
Po ashtu, Ferizaj FC ngre shqetësime edhe për anulimin e një goli të tyre, të cilin e konsiderojnë të pakuptimtë, ndërsa pretendojnë se goli i kundërshtarit ka ardhur nga një pozitë jashtë loje.
“Këto vendime lënë shumë pikëpyetje dhe dëmtojnë besimin në një garë të drejtë dhe të barabartë”, thuhet në reagimin e klubit.
Ferizaj FC kërkon më shumë vëmendje dhe drejtësi në ndarjen e drejtësisë sportive në ndeshjet e ardhshme, duke theksuar se vendime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e kampionatit./Indeksonline/