Aktvendimi i dhënë ditë më parë nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit për pajisjen me leje ujore për funksionimin e deponisë së mbeturinave inerte në Matiçan, po konsiderohet të jetë joligjor.
Drejtori i shërbimeve publike në komunën e Prishtinës ka thënë se kjo nuk është deponi por është stacion transfer i mbeturinave, që sipas tij të gjitha kompetencat i takojnë komunës.
“Ky aktvendim i inspektoratit nuk është në përputhje me ligjet, nuk është në përputhje me kompetencat e ministrisë dhe as me kompetencat e agjensionit rajonal të pellgjeve dhe lumenjve, janë thirr në nenin 14 në aktvendim të ligjit për ujëra, i cili i jep kompetenca komunës e jo ministrisë. Përveç kësaj janë thirr në udhëzimin administrativ 03.2018 që është për ujërat dhe kanë harru me u thirr në udhëzimin 03.2024 dhe në të dy udhëzimet për vend stacionet transfer e jo për deponit i takojnë komunës”, ka thënë Luftar Braha, drejtor i shërbimeve publike në komunën e Prishtinës.
Në pyetjet e RTK-së ndaj ministrisë së mjedisit se cila është arsyeja e lejes ujore në këtë zonë, në një përgjigje me shkrim zyrtarët e saj thanë se leja ujore është e domosdoshme sepse ajo i trajton ujërat që lirohen nga kjo zonë dhe ujërat sipërfaqësore që e përshkruajnë deponinë në rastin e reshjeve atmosferike.
Ndërsa zyrtari komunal i kundërpërgjigjet këtij arsyetimi.
”Dhe për t’i marrë të gjitha masat e mbrojtjes dhe ndaj atij hendeku apo asaj rrëkeje ujore që mundet me u krijuar herë pas here gjatë reshjes atmosferike ne jemi largu në një distancë shumë të madhe përtej kritereve që i përcakton udhëzimi administrativ, dhe udhëzimi na jep kom”, ka shtuar Braha.
Tutje në përgjigjen me shkrim nga ministria e mjedisit thuhet se me planin zhvillimor të komunës së Prishtinës, ky vend është jashtë zonës urbane të Prishtinës andaj kompetencat i takojnë Ministrisë, mirëpo sipas zyrtarëve komunal në planin zhvillimor të Prishtinës të vitit 2013 Matiqani figuron zonë urbane e kryeqytetit.