Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me zhvillimet rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit, duke e akuzuar atë për manipulim politik dhe shmangie nga përgjegjësia.
Përmes një postimi publik, Sadiku tha se nuk sheh më kuptim në diskutimet për çështjen e Presidentit, pasi sipas tij Kurti ndryshon vazhdimisht qëndrimet dhe narrativën politike, transmeton lajmi.net.
“Sinqerisht, nuk ia vlen me fol për presidentin më. Albin Kurti prap ka me i ndërru krejt fjalët”, shkroi ai.
Deputeti i LDK-së akuzoi Kurtin se po manipulon me procesin politik dhe po tenton t’ua faturojë të tjerëve përgjegjësinë për krizën.
“Çka do që mundohemi me ndihmu, ai i ndërron prap fjalët. Manipulon, mashtron dhe tërhiqet. Herë fol për qeveri, herë për parlament, herë për konsensus. Tenton me lujt me fajin”, deklaroi Sadiku.
Ai e akuzoi më tej kryeministrin për viktimizim politik dhe për krijim të krizave artificiale për të shmangur llogaridhënien.
“Edhe me 90% të votave, viktimizohet. Ankohet. Krijon armiq që nuk ekzistojnë. Sepse kur s’ka rezultate, kur s’ka punë, kur s’ka sukses… krijon kaos. Ik prej përgjegjësisë”, tha ai.
Në fund të reagimit, Sadiku lëshoi edhe një mesazh politik të drejtpërdrejtë ndaj Kurtit, duke paralajmëruar zgjedhje dhe duke thënë se ai nuk meriton më të qeverisë.
“Shihemi në zgjedhje. Ti nuk meriton pushtet. Jo në këtë shtet”, përfundoi deputeti i LDK-së.
Reagimi i Sadikut vjen në kulmin e tensioneve politike për çështjen e Presidentit, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit skadon më 28 prill./lajmi.net/