Bayern Munich ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të UEFA Champions League pas një fitoreje spektakolare 4:3 ndaj Real Madridit në ndeshjen çerekfinale.
Pas përfundimit të takimit, mesfushori i bavarezëve, Joshua Kimmich, analizoi sfidën, duke pranuar se ndeshja ishte e vështirë dhe e mbushur me ritëm të lartë, shkruan Indeksonline
“E dinim që të dyja skuadrat mund ta dëmtonin njëra-tjetrën. Bayern me presionin e lartë, ndërsa Real Madridi me tranzicionet e shpejta. E nisëm keq dhe më pas pësuam sërish nga një goditje dënimi dhe një kundërsulm. Pjesa e parë ishte kaotike,” u shpreh Kimmich.
Ai theksoi se skuadra u përmirësua në pjesën e dytë, duke marrë më shumë kontroll mbi lojën dhe duke arritur në fund të sigurojë fitoren.
“Në pjesën e dytë ishim më të qetë, kishim më shumë kontroll dhe në fund arritëm të fitojmë. Nuk ishte performanca jonë më e mirë, por do ta marrim këtë fitore,” shtoi ai.
Në fund, Kimmich nënvizoi rëndësinë e suksesit ndaj një kundërshtari të madh si Real Madridi.
“Nuk duhet të harrojmë që kemi fituar të dyja ndeshjet ndaj një skuadre si Real Madridi.”/Indeksonline/