Aktorja e njohur australiane Nicole Kidman ka zbuluar një drejtim të ri në jetën e saj profesionale, duke treguar se po trajnohet për t’u bërë “death doula”, një rol që ofron mbështetje emocionale dhe praktike për personat në fund të jetës.
Gjatë një diskutimi në Universitetin e San Franciskos, në kuadër të “Silk Speaker Series”, 58-vjeçarja tha se kjo ide i ka lindur pas humbjes së nënës së saj, Janelle Ann Kidman, e cila ndërroi jetë në shtator të vitit 2024 në moshën 84-vjeçare.

Aktorja u shpreh se periudha e fundit e jetës së nënës së saj ka qenë emocionalisht e vështirë për familjen dhe se shpesh mungonte një mbështetje e specializuar për të ofruar qetësi dhe praninë e duhur në ato momente. Ajo theksoi se do të dëshironte që njerëzit të ishin aty për të dhënë ngushëllim dhe kujdes në mënyrë të paanshme.
“Death doulas”, të njohura edhe si kujdestarë të fundjetës, ofrojnë mbështetje emocionale, psikologjike dhe shpirtërore për individët që janë në fazat e fundit të jetës, si dhe për familjarët e tyre.
Kidman tregoi se kjo përvojë e ka shtyrë të mendojë më thellë për humbjen dhe mënyrat e përballimit të saj, duke shtuar se kjo do të jetë pjesë e një rritjeje personale dhe një fushe që ajo synon ta studiojë më tej.
Ajo ka folur shpesh për dhimbjen e humbjes së të dy prindërve, përfshirë babain e saj, i cili ndërroi jetë në vitin 2014, duke e cilësuar procesin e zisë si një periudhë të vështirë emocionale që ende e shoqëron.
Në muajt e fundit, Kidman ka bërë homazhe publike për nënën e saj, duke e kujtuar si një figurë kyçe në jetën e saj personale dhe profesionale, ndërsa ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e familjes dhe kujtimeve që mbeten pas humbjes.