Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se kanë ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.E.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Arrestimi i tij ka të bëj me vdekjen e një punëtori të moshës 59 vjeçare, sot në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimi ku po punonte.
“Prokurori i shtetit, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti. Ndërsa, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore”, ka njoftuar Prokuroria Themelore.
Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli ka thënë për lajmi.net se patrulla policore ka dal menjëherë në vendngjarje dhe ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Ai ka njoftuar se viktima është e moshës 59 vjeçare dhe ka rënë nga kati i gjashtë i objektit në ndërtim gjatë punimeve.
“Me datë 13.04.2026, rreth orës 11:45, është pranuar informatë se në rrugën “Remzi Hoxha” një person ka rënë nga një objekt në ndërtim. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku edhe ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se viktima është nje mashkull 59 vjeç , i cili ka rënë nga kati i 6-të i objektit në ndërtim gjatë punimeve. Policia ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar hetimet, forenzika rajonale dhe inspektorët komunal të punës. Për informata shtesë do të njoftoheni me raport të mëvonshëm”, ka thënë Veseli. /Lajmi.net/