Raundi i parë i bisedimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad ka përfunduar pas afro dy orësh diskutime, në një proces që po ndiqet me interes të lartë ndërkombëtar.
Sipas raportimeve të “Associated Press”, që i referohen Shtëpisë së Bardhë, në negociata ka marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, në takime të drejtpërdrejta me delegacionin iranian, transmeton IndeksOnline.
Pas sesionit të parë, delegacionet kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet për një pushim të shkurtër, përpara rifillimit të tyre më vonë gjatë mbrëmjes, duke sinjalizuar se procesi mbetet aktiv dhe në zhvillim.
Megjithëse qëndrimet e palëve raportohen të kenë qenë të forta, burime të ndryshme flasin për përparime të kufizuara në disa çështje kyçe. Në fokus të diskutimeve kanë qenë tensionet rajonale, përfshirë zhvillimet që lidhen me Izraelin dhe Libanin, çështja e aseteve iraniane, si dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit.
Burime të përfshira në proces, që kanë folur në kushte anonimiteti, kanë theksuar se diskutimet kanë përfshirë edhe tema të tjera të ndjeshme të marrëdhënieve dypalëshe.
Negociatat pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, ndërsa zhvillimet në Islamabad konsiderohen si një hap i rëndësishëm në një proces delikat diplomatik.