Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur poshtë mundësinë që emri i tij të jetë në tavolinë për postin e presidentit në kuadër të bisedimeve me kryeministrin Albin Kurti.
Duke folur para mediave të shtunën, Abdixhiku theksoi se në këtë fazë fokusi duhet të jetë tek parimet e bashkëpunimit politik dhe jo tek emrat konkretë. “Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale”, u shpreh ai, duke shtuar se “duhet të flasim për parimet njëherë” dhe të shmanget, siç tha, trajtimi i temës si çështje individuale, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, procesi duhet të udhëhiqet nga interesa më të gjera politike dhe jo nga ambicie personale. “Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë, aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishëm shtetëror”, deklaroi Abdixhiku, duke theksuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje më e gjerë ndërmjet partive, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, disa ditë më parë, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte përmendur Abdixhikun si një ndër emrat që do të mbështetej nga partia për postin e presidentit. Ai theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike përmes kompromisit, duke thënë se “kompromisi është vlerë, jo dobësi”.
Haziri shtoi se për pozita të larta shtetërore duhet të ketë procese të fituara dhe të mirëpërcaktuara, ndërsa konfirmoi se brenda partisë nuk janë diskutuar ende emra konkretë. “Kryetari i LDK-së është kandidati i parë që ne e mbështesim, por kjo nuk është diskutuar”, deklaroi ai, duke theksuar se synimi mbetet gjetja e një figure konsensuale që tejkalon kufijtë partiakë.
Sa i përket vijimit të dialogut politik, Abdixhiku bëri të ditur se kontaktet me Kurtin pritet të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.
Ai nënvizoi se deri më tani nuk ka pasur propozime konkrete nga asnjëra palë. “Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme”, u shpreh ai, duke shtuar se zhvillimet e ardhshme do të varen nga ecuria e këtyre diskutimeve./lajmi.net/