Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje u.d presidentes, Albulena Haxhiu, që të kompletojë përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas parimeve të Kushtetutës, duke siguruar që vendimmarrja të jetë e paanshme.
Ajo shtoi se PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, një fakt që është konfirmuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile.
“Kosova dje ka shënuar ditën e Kushtetutës, dhe krahas urimeve duhet të flasim për përgjegjësinë e munguar të institucioneve që ta respektojnë aktin themeltar të Kosovës. Dua të them që dje është përmbyllur afati 60 ditor të KQZ-së, afat që nuk është respektuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor e reflekton vetëm numrin e grupeve parlamentare pavarësisht numrin e deputetëve. PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, këtë e kanë konfirmuar edhe organizatat e shoqërisë civile. PDK me këtë rast kërkon nga U.D e presidentes që ta kompletojë përbërjen e KQZ ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Kërkojmë që të jetë e paanshme në vendimmarrje”, tha Deliu./EO/