Mbretëria e Bashkuar ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Kosovën në rrugën drejt integrimit euro-atlantik dhe zhvillimit demokratik, duke theksuar rëndësinë e njohjes ndërkombëtare dhe zbatimit të marrëveshjeve me Serbinë.
Në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit,diplomatja britanike Jennifer MacNaughtan deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të mbështetur rrugën euro-atlantike të Kosovës dhe zhvillimin e saj si një demokraci gjithëpërfshirëse dhe multietnike”, transmeton lajmi.net.
Ajo rikujtoi se Britania ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke shtuar: “Inkurajojmë ato shtete anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës”. Sipas saj, “siç e bëri të qartë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Opinionin Këshillimor të vitit 2010, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.
MacNaughtan theksoi rëndësinë e njohjes për të ardhmen e vendit: “Njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, ajo përgëzoi proceset zgjedhore: “Ne përgëzojmë zhvillimin paqësor të zgjedhjeve komunale dhe legjislative vitin e kaluar, përfshirë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, dhe mirëpresim formimin e qeverisë”. Ajo shtoi se “inkurajojmë progres të shpejtë drejt zgjedhjes së Presidentit, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Rikthimi i kryetarëve serbë në komunat veriore u cilësua si hap pozitiv. “Ne i inkurajojmë ata të fokusohen në qeverisje praktike, duke punuar në mënyrë konstruktive me institucionet qendrore dhe duke iu përgjigjur nevojave të të gjithë qytetarëve të tyre”, tha ajo.
Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, MacNaughtan theksoi: “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”. Ajo përmendi si zhvillime pozitive “krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur” dhe “marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt”, duke i cilësuar si hapa drejt ndërtimit të besimit.
Sa i përket sigurisë, ajo rikujtoi ngjarjet e fundit: “Më shumë se dy vjet pas sulmit në Banjskë, ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Serbisë për të luajtur rolin e saj në uljen e tensioneve dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiçin”. Gjithashtu, ajo kërkoi “llogaridhënie për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj 2023”.
Në pjesën përfundimtare, ajo u ndal te roli i OKB-së në Kosovë: “Me presionin në rritje mbi buxhetet e OKB-së, burimet duhet të drejtohen aty ku kanë ndikimin më të madh”. Ajo shtoi se “kushtet në terren në Kosovë janë të panjohshme krahasuar me vitin 1999”, duke mirëpritur përpjekjet për përmirësimin e fokusit të UNMIK-ut.
MacNaughtan theksoi se “një rishikim strategjik i rolit, përgjegjësive dhe financimit të UNMIK-ut është i vonuar”, ndërsa propozimi për uljen e buxhetit “duhet të sjellë efikasitet real dhe ta bëjë misionin më fleksibël dhe funksional”.
Në fund, ajo shprehu mirënjohje: “Dëshiroj të përfundoj duke shprehur mirënjohjen e Mbretërisë së Bashkuar për Përfaqësuesin Special, Peter Due, dhe të gjithë stafin e misionit për kontributin e tyre në punën e UNMIK-ut”./lajmi.net/