Ankesat në adresë të Qendres Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) s’kanë të ndalur. Jo vetëm pagesa prej 3 euro është problem për familjarët. Ata ankohen se detyrohen të qëndrojnë në spital dhe të kryejnë shërbime, të cilat do të duhej të bëheshin nga stafi shëndetësor i klinikave.
Në QKUK familjarë t e pacientëve detyrohen t’i bartin të afërmit e tyre me shtretër të klinikës, për të kryer procedura diagnostike si CT dhe MRI.
Familjarët shprehen që sapo hyjnë në oborrin e QKUK-së përballen me një realitet të vështirë, ku pacientët mbesin në duart e të afërmve të tyre, madje edhe në rastet emergjente.
Ata thonë se janë detyruar t’i transportojnë vetë pacientët deri te repartet përkatëse për fotografime dhe ekzaminime, punë që sipas tyre duhet ta kryejë stafi shëndetësor.
V. Z thotë se në momentin që e kishte dërguar nënën e saj në Kliniken Emergjente, familjarëve u kishin thënë se duhet ta dërgojnë në katin më poshtë pacienten, për të kryer një CT të kokës.
“Familjarët detyrohen ta bartin familjarin me shtratin e klinikës për të kryer CT dhe MRI, ndonëse për këtë shërbim paguhet stafi shëndetësor. Ne e dërguam nënën duke e shtyrë shtratin deri tek lifti e më pas tek kati ku bëhet CT-ja e kokës. Me neve nuk erdhi asnjë nga stafi shendetësor, që gjendej aty dhe se bartjen e pacientit e bëmë ne familjarët vet ”, shprehet ajo.
Por QKUK i ka mohuar të gjitha këto pretendime. Në një përgjigje për Indeksonline thuhet se bartja e pacientëve për procedura diagnostike realizohet nga stafi shëndetësor dhe jo nga familjarët e pacientëve.
“Bartja e pacientëve për procedura diagnostike (si CT, MR dhe ekzaminime të tjera) realizohet nga stafi shëndetësor i QKUK-së (infermierë dhe në disa raste edhe bartës), gjithnjë në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së pacientit. QKUK siguron që çdo pacient të trajtohet me kujdes maksimal nga personeli i kualifikuar. Në rastet kur familjarët ndihmojnë në mobilizimin e pacientëve, kjo ndodh në bashkëpunim me rekomandimin dhe nën mbikëqyrjen e stafit, duke respektuar protokollet e sigurisë”, thuhet në përgjigjjen e QKUK-së për Indeksonline.