Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me versionin aktual të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i proceduar për shqyrtim në Kuvend.
KDI ka theksuar se forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit, por një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore, për të siguruar zbatueshmëri dhe qëndrueshmëri në praktikë.
Megjithëse instituti e përkrah idenë e konfiskimit civil dhe funksionin e Byrosë si mekanizëm, KDI vlerëson se versioni aktual i projektligjit nuk adreson plotësisht gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke krijuar pasiguri juridike dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.
Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje kryesore:
Vlefshmëria kohore e verifikimit të pasurisë: Përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 mund të bie ndesh me standardet e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për kufizim të arsyeshëm kohor.
Kompetencat për legjislacionin sekondar: Projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin.
Po ashtu, KDI kritikoi mungesën e konsultimeve publike gjithëpërfshirëse për këtë projektligj, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe legjitimitetin e reformës.
Instituti i ka dërguar një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëndrimet dhe rekomandimet e tij për përmirësimin e projektligjit dhe ka njoftuar se së shpejti do të publikojë edhe një hulumtim parlamentar për këtë çështje.
KDI i bën thirrje Kuvendit që shqyrtimi i projektligjit të shoqërohet me debat të hapur dhe gjithëpërfshirës, bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane, për të shmangur zgjidhje të paqëndrueshme ose të kontestueshme në praktikë. /Lajmi,net/