Komuna e Vushtrrisë ka dhënë dritën jeshile për organizimin e një sfide për rekord botëror, pas aprovimit të kërkesës së sportistit Bujar Muli, transmeton IndeksOnline.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Muli, i cili bëri të ditur se kërkesa e tij drejtuar komunës është miratuar, duke hapur rrugën për organizimin e këtij eventi të madh.
“Sot, kërkesa ime drejtuar Komunës së Vushtrrisë është APROVUAR. Komuna do të mbështesë organizimin në disa aspekte të rëndësishme si salla, siguria dhe mbështetja institucionale”, ka deklaruar ai.
Në dokumentin zyrtar të siguruar, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport konfirmon aprovimin e kërkesës për realizimin e sfidës për Guinness World Records, duke garantuar edhe mbështetjen nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe shërbimet shëndetësore.
Sfida pritet të mbahet më 18 korrik 2026 në Vushtrri, ku Muli do të tentojë të thyejë rekord botëror me një peshë prej 2000 deri në 2500 kilogramë.
Ai ka falënderuar Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe drejtoreshën Medina Bunjaku për përkrahjen, ndërsa theksoi se tashmë gjithçka varet nga përgatitja e tij.
“HISTORIA po shkruhet në Vushtrri”, është shprehur Muli, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për qytetin dhe sportin në Kosovë./IndeksOnline/