Ankesat për qasje në dokumente publike janë rritur për rreth 200 deri në 250 nga viti 2021, raporton Ekonomia Online
Këto të dhëna janë bërë të ditura sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku ka raportuar komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva- Dermaku.
Sogojeva-Dermaku, ka treguar edhe numrin e ankesave që kanë pranuar në fund të vitit të kaluar.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi ka vazhduar me monitorimin e zbatimit të dy ligjeve tona dhe mbikëqyrjen e ligjeve të tjera sektoriale që mbrojnë të dhënat personale apo qasjen në dokumente publike. Ka vazhduar të bëjë mbikëqyrjen e tyre duke u orientuar kryesisht në shqyrtimin e ankesave, pjesëmarrjen në akte administrative dhe përfaqësimin nëpër gjykata për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.
Normalisht që puna jonë dhe orientimi jonë në mbikëqyrje të zbatimit të dy ligjeve është shqyrtimi i ankesave, dhe unë do të paraqes statistikat fillimisht. Në përmbyllje të vitit 2025, në total kemi pranuar 1085 ankesa për të dyja fushat. Nga këto, 927 janë për qasje në dokumente publike. Nga 927 ankesat për qasje, 842 janë shqyrtuar, ndërsa të tjerat janë bartur për vitin 2026 për shkak të pamundësisë së shqyrtimit të të gjithave brenda afatit. Kjo vjen si pasojë e stafit të vogël dhe numrit të shumëfishtë të ankesave që rriten çdo vit.
Ajo që duhet të ceket është se vetëdijesimi i qytetarëve në raport me të drejtën e tyre për qasje në dokumente publike është shumë i lartë. Që nga viti 2021, kemi një rritje prej rreth 200-250 ankesa për çdo vit.
Ndërsa te mbrojtja e të dhënave personale, numri i ankesave është 158, ndërsa në total kemi kryer 367 inspektime, si sipas detyrës zyrtare, ashtu edhe mbi bazën e ankesave të parashtruara.
Në aspektin e pjesës ligjore, Agjencia tashmë ka përgatitur një koncept-dokument në mbështetje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave nga institucionet e zbatimit të ligjit – një mjet që është në harmoni me rregulloret evropiane. Kjo do të bëjë harmonizimin dhe kompletimin e kornizës ligjore për shkak të specifikave që kanë këto institucione. Ky projektligj ka kaluar tashmë konsultimet publike, deklaratat financiare dhe ato të përputhshmërisë me rregullativat evropiane, andaj presim që këtë vit të kalojë në Qeveri dhe në Parlament.
Në të njëjtën kohë, jemi duke punuar në draft-ligjin për amendamentimin e Konventës 108 për transferimin automatik të të dhënave personale. Ky ligj do të na mundësojë të bëhemi anëtarë të mekanizmave të tjerë mbikëqyrës evropianë për transferin ndërkufitar të të dhënave, gjë që sot – duke pasur parasysh digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale – është më se e rëndësishme”, tha Sogojeva Dermaku.