Borussia Dortmundi pritet të ketë një verë të nxehtë në afatin kalimtar, veçanërisht në repartin ofensiv. Klubi gjerman mund të ndahet me dy emra të rëndësishëm, Julian Brandt dhe Serhou Guirassy, duke hapur rrugën për afrime të reja.
Në këtë kontekst, ish-futbollisti i Dortmundit, Kevin Grosskreutz, ka sugjeruar që zëvendësimi ideal për repartin ofensiv mund të jetë sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani.
Grosskreutz, i cili ka zhvilluar mbi 230 ndeshje me fanellën e Dortmundit dhe ka fituar trofe të rëndësishëm, përfshirë Kupën e Botës me Gjermaninë dhe tituj në Bundesligë, nuk ka fshehur admirimin për 23-vjeçarin. Ai ka zbuluar se mban kontakte të rregullta me Asllanin dhe beson se transferimi në “Signal Iduna Park” do të ishte hapi i duhur për të.
“Ka pasur një lajm që Asllani mund të transferohet te Dortmundi. Eja, do të shohësh se nuk ka më mirë se kjo!”, ka deklaruar Grosskreutz.
Sulmuesi kosovar po kalon një sezon shumë të mirë me Hoffenheimin, ku ka regjistruar nëntë gola dhe tetë asistime në 28 paraqitje. Forma e tij e lartë dhe potenciali në rritje e bëjnë atë një nga emrat më premtues për të ardhmen.
Bundesliga gjithashtu ka publikuar pesë momentet më të mira të Asllanit, duke vënë në pah aftësitë dhe ndikimin e tij në fushë.