Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndalojë çdo ndërhyrje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave.
Në një reagim publik, Azemi ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve në shtëpi dhe banesa, sidomos në rastet kur ekzistojnë dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime serioze për pengim të hetimeve, transmeton lajmi.net.
Ai ka kërkuar që të pezullohen menjëherë veprimet e KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave të nevojshme.
Sipas tij, çdo veprim që mund të rezultojë në fshehje, largim apo manipulim të provave përbën shkelje ligjore dhe duhet të trajtohet si vepër penale.
Azemi u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reagojnë pa vonesë, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi hetimor dhe të mundësohet zbardhja e plotë e rastit./lajmi.net/