Me vendim të kryeministrit Albin Kurti, Agon Dobruna është emëruar zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës.
Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Dobruna e ka falënderuar Kurtin për besimin e dhënë, shkruan IndeksOnline.
“Po ashtu, është kënaqësi e veçantë që në këtë detyrë do të shërbej në një ministri që zbaton një komponent të rëndësishëm të reformave, të prirë nga Ministri Andin Hoti, ku do të punoj me përkushtim, përgjegjësi dhe vendosmëri për të çuar përpara agjendën tonë qeverisëse në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit tonë.
Ky vlerësim është për mua nder i madh, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e lartë për t’i shërbyer Republikës sonë në një prej fushave më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të qeverisjes” ka shkruar Dobruna.
Në vendimin e Kurtit për emërimin e Dobrunës thuhet se ky i fundit është përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve të përcaktuara nga ministri Hoti dhe për mbështetjen e tij.
“Mbetem i përkushtuar që me punë, ndershmëri dhe angazhim të plotë ta arsyetoj këtë besim” deklaroi Dobruna.
Ky është postimi i plotë i tij:
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot jam emëruar nga Kryeministri Albin Kurti në pozitën e Zëvendësministrit të Parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës të Republikës së Kosovës. E falënderoj Kryeministrin Albin Kurti për besimin e dhënë. Po ashtu, është kënaqësi e veçantë që në këtë detyrë do të shërbej në një ministri që zbaton një komponent të rëndësishëm të reformave, të prirë nga Ministri Andin Hoti, ku do të punoj me përkushtim, përgjegjësi dhe vendosmëri për të çuar përpara agjendën tonë qeverisëse në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit tonë.
Ky vlerësim është për mua nder i madh, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e lartë për t’i shërbyer Republikës sonë në një prej fushave më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të qeverisjes. Si pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jam krenar që do të vazhdoj të kontribuoj në zbatimin e programit tonë qeverisës, me fokus te drejtësia sociale, dinjiteti i familjes, përkujdesja institucionale dhe mbështetja për vlerat e luftës sonë çlirimtare.
Jam po ashtu krenar që po i shërbej një qeverie që ka për mision transformimin e Republikës, luftën e pakompromis ndaj kriminalitetit dhe kapjes së shtetit, si dhe shpërndarjen e drejtë të parasë publike; vlera këto që burojnë natyrshëm nga vizioni dhe ideologjia e Qeverisë Kurti III.
Mbetem i përkushtuar që me punë, ndershmëri dhe angazhim të plotë ta arsyetoj këtë besim.
Faleminderit për mbështetjen tuaj.