Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka vlerësuar se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të diskutuar rritjen e çmimeve të naftës dhe koston e jetesës, u karakterizua nga “mungesë e përgjegjësisë institucionale”.
Sipas IKD-së, kjo mungesë përgjegjësie bëri që seanca, ndër të paktat që Kuvendi ka zhvilluar kohëve të fundit, të zhvillohet pa seriozitetin e nevojshëm për debat mbi çështje me interes publik.
“Mospjesëmarrja e një pjese të konsiderueshme të deputetëve – si nga pozita ashtu edhe nga opozita – e bën të qartë se Kuvendi po e humb peshën si vend ku trajtohen realisht problemet e qytetarëve, si dhe pa substancë reale vendimmarrëse”, thekson IKD.
Në komunikatë, IKD nënvizon se përdorimi i gjuhës jo-parlamentare, ndërhyrjet dhe ndërprerjet e vazhdueshme të diskutimeve nga deputetët dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, “reflektojnë një degradim të standardeve të debatit dhe një mungesë respekti për institucionin”.
“Kjo qasje jo vetëm që dëmton funksionimin e Kuvendit, por relativizon edhe temat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe stabilitetin ekonomik të qytetarëve”, përfundon Instituti Demokratik i Kosovës.