Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka komentuar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën duke theksuar se ai paraqet një pasqyrë reale të gjendjes ekonomike në vend.
Duke folur për rëndësinë e këtij raporti, ai ka thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për një dokument teknik.
“Raporti i Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është thjesht një dokument teknik – është një alarm serioz për ekonominë dhe politike e Kosovës.”, tha fillimisht ai.
Sipas tij, gjetjet e raportit përputhen me shqetësimet që bizneset kanë shprehur prej kohësh.
“Ky raport konfirmon atë që bizneset po e thonë prej kohësh: vendi po përballet me ngadalësim ekonomik dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.”, shtoi tutje ai.
Shahini është ndalur veçanërisht te treguesit ekonomikë, duke i cilësuar ata shqetësues për zhvillimin e vendit.
“Një rritje ekonomike prej rreth 3.3% është e pamjaftueshme për një ekonomi si Kosova, ndërsa inflacioni prej 5.9% po e varfëron çdo ditë qytetarin. Kjo do të thotë më pak konsum, më pak investime dhe më pak stabilitet ekonomik”, tha Shahini.
Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është e rastësishme, por lidhet drejtpërdrejt me mungesën e politikave zhvillimore.
“Ngadalësimi i rritjes nuk është rastësi – është rezultat i mungesës së politikave zhvillimore.”, tha ai.
Duke elaboruar më tej, ai ka shtuar se vendi përballet me mungesë mbështetjeje për sektorë kyç.
“Kosova vazhdon të mos ketë mbështetje serioze për prodhimin vendor, mungon strategjia për eksportet, ndërsa pasiguria politike dhe vendimmarrja e ngadaltë po e rëndojnë situatën.”, u shpreh kryetari i AKB-së.
Sipas Shahinit, pasojat e kësaj gjendjeje ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe bizneset.
“Për qytetarët kjo përkthehet në standard më të ulët jetese, çmime më të larta dhe më pak mundësi ekonomike. Ndërsa për bizneset, kjo nënkupton rritje të kostove dhe rënie të konkurrueshmërisë.”, tha ai.
Ai ka theksuar se viti 2026 kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se viti 2026 kërkon masa urgjente dhe të guximshme: mbështetje direkte për prodhuesit vendorë, ulje të barrës fiskale, investime në energji dhe industri, si dhe një strategji të qartë për zëvendësimin e importeve.”, u shpreh Shahini.
Në vijim, ai ka bërë thirrje për ndryshim të qasjes qeveritare.
“Qeveria duhet të ndalë politikat afatshkurtra dhe populiste.”, u shpreh ai.
Shahini ka kritikuar edhe disa nga masat aktuale sociale, duke i cilësuar ato joefektive për zhvillim afatgjatë.
“Masa si shpërndarja e 100 eurove apo paga e 13-të kanë efekt të përkohshëm social, por nuk krijojnë zhvillim ekonomik. Përkundrazi, ato rrisin shpenzimet dhe nuk adresojnë problemet strukturore të ekonomisë.”, shtoi Shahini.
Ai ka paralajmëruar edhe për rreziqet që lidhen me strukturën aktuale të ekonomisë.
“Deficiti tregtar dhe varësia nga importet janë ndër rreziqet më të mëdha për vendin. Kosova vazhdon të importojë shumë më tepër sesa eksporton, duke e bërë ekonominë të paqëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj krizave globale.”, tha ai.
Sipas tij, rruga përpara është e qartë dhe kërkon fokus në zhvillim të brendshëm.
“Zgjidhja është e qartë, zhvillimi i prodhimit vendor, mbështetja e eksporteve, investimet në bujqësi dhe industri, si dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare.”, u shpreh Shahini.
Në fund, ai ka paralajmëruar për pasojat nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme.
“Nëse nuk ndryshon qasja ekonomike, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël stagnimi afatgjatë. Ekonomia nuk zhvillohet me shpërndarje parash, por me prodhim, investime dhe politika të qëndrueshme.”, përfundoi Agim Shahini për Periskopin.